
Muriqi bën historinë, tre gola dhe Mallorca triumfon ndaj Bilbaos
Vedat Muriqi ka vazhduar të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll. Sulmuesi 31-vjeçar shënoi hat-trickun e tij të parë në La Liga për Mallorcan në ndeshjen e xhiros së 20-të, duke ndihmuar skuadrën të mposht Athletic Bilbaon 3-2.
Muriqi hapi rezultatin në minutën e pestë për 1-0, ndërsa më pas, pas një penalltie të humbur në minutën e 42-të, shënoi golin e dytë për 2-1 nga topi i kthyer. Golin e tretë, që vulosi fitoren 3-2, e realizoi nga pika e bardhë në minutën e 69-të.
Ndeshja u karakterizua edhe nga përjashtimet e mysafirëve: Gorka Guruzetan mori karton të dytë të verdhë dhe u largua nga loja, ndërsa Unai Gomez, që nuk ishte në fushë, u përjashtua direkt me të kuq.
Me këtë performancë, Muriqi ka arritur 14 gola në La Liga këtë sezon dhe 48 gola në total në elitën spanjolle, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Mallorcas, duke kaluar legjendën Juan Arango. Vetëm Samuel Eto’o ka më shumë gola për skuadrën në La Liga me 54.
Mallorca, që së fundmi përballoi edhe protesta nga tifozët për rezultatet negative, tashmë ka 21 pikë, ndërsa Athletic Bilbao mbetet me 24 pikë në renditjen e La Ligës, shkruan Express.
Ky sukses i Muriqit është një tjetër tregues i formës së tij të lartë dhe rëndësisë që ka për Mallorcan, duke treguar se sulmuesi kosovar është një nga figurat kryesore të sezonit në Spanjë


