Murati shkruan për rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat

Murati shkruan për rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke cituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës, tha se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 është 598 euro.

Murati ka thënë se kjo tregon punën e Qeverisë Kurti për sektorin privat. Sipas tij, nuk ka qeveri më miqësore me bizneset sesa ajo e Kurtit.

Ai ka shkruar për rritjen historike të pagës mesatare, ai nuk e përmendi inflacionin, e sidomos atë të produkteve ushqimore, raporton rtk.

“Paga mesatare në sektorin privat vitin e kaluar ka shënuar rritjen më të lartë historikisht! Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak.  Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012-2019).  +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2.  +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara. Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat.  Heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë.  Qeveria për sektorin privat”, ka shkruar Murati.

Share This