Murati kritikon opozitën: Refuzuan 90 milionë euro me 0% interes, tani ankohen për kreditë e BE-së me 4%

Murati kritikon opozitën: Refuzuan 90 milionë euro me 0% interes, tani ankohen për kreditë e BE-së me 4%

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj qëndrimeve të opozitës lidhur me mos-përfitimin e Kosovës nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, duke i akuzuar ata për bllokimin e marrëveshjeve që do të kishin përmirësuar gjendjen financiare të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Murati kujtoi se opozita kishte refuzuar për muaj të tërë ratifikimin e një marrëveshjeje me vlerë 90 milionë euro me Bankën Botërore, e cila ishte kredi me kamatë 0%.

“Opozita për muaj të tërë pati refuzuar ta ratifikojë marrëveshjen prej 90 milionë euro me Bankën Botërore, kredi me kamatë 0%. E njëjta opozitë tash po ankohet pse Kosova ende nuk po përfiton nga Plani i Rritjes nga BE, financim ky që është kredi me kamatë 3-4%,” ka shkruar Murati.

Ai shtoi se vonimi i përfitimit të Kosovës nga Plani i Rritjes së BE-së është rezultat i bllokadës së opozitës në Kuvend, e cila, sipas tij, ka pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për këtë plan.

“Vetë vonesa e përfitimit nga Plani i Rritjes vjen si pasojë e bllokadës që pikërisht opozita ia bëri Kuvendit,” ka theksuar Murati.

Ky reagim vjen në kohën kur debati për përfitimet financiare të Kosovës nga BE dhe marrëveshjet ndërkombëtare po zë një vend të rëndësishëm në skenën politike të vendit.

Share This