Mot i qëndrueshëm dhe pa reshje në fundjavë
Gjatë kësaj fundjave parashikohet mot i qëndrueshëm dhe pa reshje, falë ndikimit të një fushe të presionit të lartë atmosferik.
Megjithatë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ky stabilitet atmosferik, i shoqëruar me erëra të dobëta dhe lagështi të lartë, krijon kushte të favorshme për grumbullimin e ndotësve në ajër, duke ndikuar në cilësinë e tij.
Gjatë ditës së sotme moti parashikohet kryesisht i vranët dhe intervale me diell, me temperaturat minimale nga -4 deri në -2°C dhe ato maksimale nga 0 deri 3 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-2 m/s.
Këshillohet që grupet më të ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme respiratore, të shmangin qëndrimin e zgjatur në ambiente të hapura, veçanërisht në zona urbane ku ndotja është më e theksuar.
IHMK udhëzon qytetarët që të kujdesen për veshje të përshtatshme dhe të përgatiten për kushtet e ngricave dhe mjegullës, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit. “Pjesëmarrësit në komunikacion duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, duke pasur parasysh që rrugët, sidomos në zonat malore, mund të jenë të rrëshqitshme gjatë gjithë kohës për shkak të temperaturave të ulëta që do të mbizotërojnë në ato zona”, thuhet në apelin e IHMK-së.