
Mosfinancimi i terroristëve – Franca, Gjermania dhe Britania me propozim të ri për Iranin
Në bisedimet e Gjenevës me ministrin e Jashtëm të Iranit, fuqitë europiane shpresojnë të ofrojnë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Iranit dhe Izraelit.
Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron, i cili bëri me dije për gazetarët se ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot, që ndodhet në Gjenevë, si edhe ministrat e Gjermanisë dhe Britanisë, do t’i paraqesin homologut të tyre iranian Abbas Araghchi (lex. Aragçi) një ofertë të plotë diplomatike dhe teknike për negociata.
Sipas Macron, propozimi europian përbëhet nga katër elemente: rifillimi i punës së Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në lidhje me eliminimin e pasurimit të uraniumit nga Irani; mbikëqyrja e aktiviteteve raketore balistike të Teheranit; heqja dorë nga financimi i grupeve militante në rajon; si dhe lirimi i atyre që mbahen peng nga Irani, duke iu referuar kështu shtetasve të huaj që mbahen në burgjet iraniane.
“Irani duhet të tregojë se është i gatshëm t’i bashkohet platformës së negociatave që po i paraqesim në tryezë,” vijoi më tej presidenti francez, i cili i bëri sërish thirrje Izraelit që të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe të energjisë, si edhe ndaj popullsisë civile në Iran.
“Nuk ka asnjë justifikim për këto sulme,” theksoi ai.