“Mokra n’fest”, Rama: Nxjerr në pah zakonet, kulturën, historinë dhe natyrën e zonës
Pogradeci do të mirëpresë në 23-24 gusht “Mokra n’fest”, një aktivitet që promovon traditat e kulinarinë e zonës.
Kryeministri Edi Rama tha se “Mokra n’Fest vjen në edicionin e V-të të saj në datat 23-24 gusht, në Potkozhan, vendlindjen e vëllezërve Zografi.
Një event i kthyer në një traditë tashmë që nxjerr në pah zakonet, kulturën, historinë dhe natyrën e kësaj perle shqiptare, që premton një potencial të lartë turistik në të ardhmen”.
Edhe gjatë këtij edicioni traditat, zakonet, gatimet, sportet, lojërat, koncerti, shëtitjet me kuaj do të jenë pjesë e “Mokra n’fest”, organizuar nga bashkia e Pogradecit.
Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik.
Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.