Miratohet qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, dominojnë nacionalistët me 76 vota pro
Ligjvënësit e Maqedonisë së Veriut miratoi mbrëmjen e të dielës një qeveri të re të kryeministrit Hristijan Mickoski, të mbizotëruar nga nacionalistët.
Kjo parti fitoi zgjedhjet e përgjithshme në maj duke u mbështetur në zemërimin e votuesve me ritmin e ngadaltë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria u miratua me 76 vota pro dhe 22 kundër në parlamentin me 120 vende, ku koalicioni qeverisës përbëhet nga partia VMRO-DPMNE e Mickoskit, aleanca shqiptare VLEN/VREDI dhe ZNAM, një ndarje etnike maqedonase nga Social Demokratët (LSDM).
Duke e shpallur seancën “historike”, Mickoski, në mandatin e tij të parë si kryeministër, u tha ligjvënësve se ishte koha që “të përveshin mëngët dhe të fillojmë të zgjidhim problemet në vend”.
Sipas Reuters, ai tha se qeverisë së tij prej 20 ministrish nuk do t’i duhen 100 ditë për të treguar rezultate në reforma, por do të fillojë menjëherë të punojë për tërheqjen e investimeve të reja, uljen e taksave dhe rritjen e pensioneve dhe pagave.
Deputetët e opozitës shprehën dyshime në aftësinë e qeverisë së re për të përmbushur premtimet nga programi i saj, duke e akuzuar Mickoskin se është manipulues dhe i fshehtë në lidhje me reformat e propozuara.