Ministri Krasniqi s’përgjigjet kur pyetet se kur do të hapet ura e Ibrit: S’ka arsye të jetë e mbyllur
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit pas veprimeve që ndërmori Qeveria e Kosovës së fundi në drejtim të hapjes së saj.
Krasniqi nuk është përgjigjur se kur do të hapet, por ka thënë se qëndrimi i qeverisë mbetet që kjo urë “s’ka arsye të vazhdojë të jetë e mbyllur”.
“Krejt çka mund të shtoj te kjo pjesa e diskutimit për hapjen e urës mbi Ibër është se kjo urë s’ka asnjë arsye që kjo urë të vazhdojë të jetë e mbyllur. Së paku jo në aspektin e komunikimit të komuniteteve në këto dy pjesë të kryeqytetit, tashmë qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe ata nga jugu në pjesën veriore dhe situata është e qetë, e kontrolluar dhe është në atë formë që hapja e urës mbi Ibër s’do të kishte asnjë ndikim”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se ministritë e linjës kanë ndërmarrë disa veprime, “ka pasur diskutime me qytetarë nga të dyja anët” dhe përsëriti se “s’ka arsye pse të mos hapet kjo urë”.
“Besojmë thellësisht që këtu s’ka asnjë arsye pse duhet të mos ketë hapje të urës dhe asnjëherë s’mund të kemi ndonjë argumentim tjetër”, ka thënë Krasniqi.