Minatorët marrin vetëm gjysmën e pagës, reagon sindikata

Minatorët marrin vetëm gjysmën e pagës, reagon sindikata

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, ka bërë me dije se minatorët janë kompenzuar vetëm me 51 për qind të pagës.

Me këtë rast, kjo sindikatë është shprehur e zhgënjyer me këtë veprim të menaxhmentit të “Trepçës”, duke theksuar se është duke u nëpërkëmbur djersa e minatorëve.

“Me një qasje të tillë mundi dhe djersa e minatorëve është duke u nëpërkëmbur, gjë e cila nuk do të tolerohet asnjëherë”, është thënë në reagimin e Sinikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës”.

Reagim i plotë:

Të nderuar minatorë,

Sot kur të gjithë e pritëm me padurim ekzekutimin e pagave, si kundërvlerë për djersen që kemi derdhur, edhe një herë tjetër u zhgënjyem duke u kompensuar vetëm 51% e pagës.

Deri kur do të vazhdojë një ofendim i tillë ndaj minatorëve dhe cili është qëllimi i vërtet i këtyre vendimeve të kundërligjshme?!

Për muaj me radhë, që nga zgjedhja e menaxhmentit të ri në ndërmarrje kemi heshtur dhe toleruar, lloj-lloj vendime dhe qasje që është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e minatorëve, me qëllimin e vetëm dhënia e hapësirës së mjaftueshme menaxhmentit të ri për të dëshmuar veten.

Por secili duhet të kuptoj se mjaft është mjaft.

Shkelja e të drejtave elementare të minatorëve siç është e drejta në pagë, përkundër se para muaj më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një shumë prej 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. dhe prodhimit enorm që kemi pasur në muajin shtator, është e papranueshme, fyese dhe kundërligjore.

Cili është arsyetimi logjik i menaxhmentit, që përkundër këtyre të hyrave marramendëse të mosekzekutohen pagat e minatorëve? Me një qasje të tillë mundi dhe djersa e minatorëve është duke u nëpërkëmbur, gjë e cila nuk do të tolerohet asnjëherë.

Shpresojmë që menaxhmenti i ndërmarrjes shqetësimin tonë ta marrë me seriozitetin më të lartë, duke bërë menjëherë ekzekutimin e plotë të pagave. Ashtu që loja me bukën e minatorëve duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Ne jemi në pritje të pagave të plota sot. Menaxhmenti duhet t’i kryej detyrat e tyre.

Me respekt

SPMTK

Share This