
Milan-Xhaka, këto janë zhvillimet e fundit
Mesfushori kosovar Granit Xhaka është gjithnjë e më pranë largimit nga Bayer Leverkusen dhe destinacioni i preferuar i tij është Milani.
Reprezentuesi shqiptar i Zvicrës, ka dhënë dy arsye të forta që e shtyjnë drejt “San Siro”-s, ndërkohë që klubi gjerman e ka gjithnjë e më të vështirë ta mbajë.
Sipas mediave gjermane, Xhaka ka humbur besimin ndaj Leverkusenit pasi është ndjerë i zhgënjyer në dy drejtime. Së pari, ai priste të merrte shiritin e kapitenit, pas vendimit që portieri Lukas Hradecky të ulet në stol dhe vendin ta marrë Mark Flekken. Megjithatë, drejtuesit nuk ia propozuan këtë përgjegjësi, çka për Xhakën ishte një sinjal mosvlerësimi.
Së dyti, marrëdhënia me trajnerin e ri, Erik ten Hag, ka nisur me këmbën e gabuar. Holandezi, i cili pasoi Xabi Alonso-n në bankinën e Leverkusenit, nuk e ka kontaktuar Xhakën menjëherë pas emërimit.
Sipas raportimeve, telefonata e parë mes tyre ka ndodhur vetëm tri javë më vonë, një vonesë që Xhaka e ka interpretuar si mungesë interesi dhe respekti.
Për këto arsye, Xhaka e sheh veten jashtë projektit të Ten Hag dhe dëshiron të largohet menjëherë.