
Mikel Merino ‘heroi’ i Arsenalit – hyn nga banka dhe shënon dy gola në fitoren ndaj Leicester Cityt
Arsenali ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Leicester Cityt në kuadër të javës së 25-të në Ligën Premier.
Pjesa e parë ishte shumë e zbehtë pa shumë raste shënimi dhe mundësia e vetme për gol i takoi Wilfried Ndidit në minutën e 45-të, por ai nuk e gjeti rrjetën.
Me të filluar pjesa e dytë Arsenali rriti intensitetin e lojës duke krijuar më shumë raste shënimi.
Kjo u shpërblye në fund pasi ata ia dolën të gjejnë golin e fitores duke siguruar tri pikë tejet të rëndësishme në udhëtim.
Fillimisht ishte Ethan Nwaneri i cili në minutën e 61-të pas një aksioni individual goditi traversën.
Ishte pikërisht Nwaneri i cili rrezikoi sërish portën e Leicesterit në minutën e 77-të, por portieri bëri një super pritje për t’ia mohuar golin.
Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, ‘Topçinjtë’ më në fund ia dolën të shënojnë në minutën e 81-të përmes Mikel Merinos i cili me kokë realizoi për 1-0.
Ishte pikërisht Merino i cili u përkujdes të shënonte sërish në minutë e 87-të për 2-0 pas asistimit të Leandro Trossard për të siguruar tri pikë të rëndësishme, raporton telegrafi.
Pas kësaj fitore Arsenali shkon në kuotën e 53 pikëve dhe mban pozitën e dytë në tabelë, me katër pikë më pak se lideri Liverpool që ka 57 sosh.