Mediet spanjolle: Simeone ka marrëveshje me Interin

Mediet spanjolle: Simeone ka marrëveshje me Interin

Interi po ecën sigurt drejt titullit kampion në Serie A, por nga Spanja ka ardhur një lajm i bujshëm që lidhet me të ardhmen e bankinës zikaltër.

Sipas medieve spanjolle, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, pritet të largohet në fund të sezonit dhe madje ka arritur një akord paraprak me Inter për sezonin 2026/27.

Megjithatë, ky informacion nuk gjen konfirmim në Itali. Përkundrazi, mediat pranë klubit zikaltër e konsiderojnë një lëvizje të tillë si shumë të vështirë për t’u realizuar, për dy arsye kryesore.

E para lidhet me aspektin financiar. Simeone përfiton rreth 34 milionë euro në sezon, një pagë që konsiderohet jashtë parametrave ekonomikë të Interit. Edhe pse tekniku argjentinas ka një lidhje të veçantë me klubin – ai ka veshur fanellën zikaltër në periudhën 1997-1999 – kostoja e operacionit mbetet pengesë serioze.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me ecurinë shumë pozitive të trajnerit aktual, Cristian Chivu. Interi kryeson kampionatin, është në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe mban gjallë shpresat për të përmbysur disavantazhin e ndeshjes së parë në play-off-in e Ligës së Kampionëve.

Në këto rrethana, zërat për një revolucion në bankinën zikaltër duken më shumë si spekulime sesa një skenar real për të ardhmen e afërt të klubit milanez.

Share This