Më 20 dhjetor mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

Më 20 dhjetor mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët më datën 20 dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi Kuvendi i Shqipërisë. Mbledhja e përbashkët do të mbahet në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Në datën 20 dhjetor, ora 11:00, në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës. Në vijim, gjatë ditës së sotme, do t’ju informojmë për axhendën dhe detajet”, thuhet në njoftimin që Kuvendi i Shqipërisë ua ka dërguar deputetëve, raportojnë mediat në Tiranë.

Ndrërkaq, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali u tha mediave atje se ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

Kuvendarët e dy vendeve ishin mbledhur edhe më 27 nëntor të vitit 2022, me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton rtk.

Share This