MD-ja s’i ndal sulmet ndaj KPK-së: Keni qasje desktruktive dhe bllokuese

MD-ja s’i ndal sulmet ndaj KPK-së: Keni qasje desktruktive dhe bllokuese

Ministria e Drejtësisë (MD) ka reaguar ndaj reagimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në lidhje me miratimin e ligjit të ri për këtë këshill nga ana e Kuvendit.

Duke iu referuar reagimit, ministria që drejtohet nga Albulena Haxhiu e ka akuzuar KPK-në për “qasje destruktive, penguese dhe bllokuese”.

“Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”, është thënë në reagimin e MD-së.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:

Ministria e Drejtësisë shpreh keqardhje për reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 15.07.2024 ndaj miratimit të Ligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, është në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim.

Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial.

Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi.

Pra, ndryshe nga konstatimet e pavërteta dhe aspak të qëndrueshme të Këshillit Prokurorial për qasje të njëanshme, refuzim dhe injorim të propozimeve e komenteve të përfaqësuesve të tyre, Ministria e Drejtësisë rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues, por edhe në takimet e veçanta, duke trajtuar kështu secilin propozim të tyre dhe duke adresuar dhe pranuar të gjitha ato që janë në interes të vet reformës.

Rrjedhimisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një procesi gjithëpërfshirës (përfshirë përfaqësuesit e sistemit prokurorial), ka miratuar një Ligj reformues për sistemin, në përputhje të plotë me opinionet e Komisionit të Venedikut dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese së vitit të kaluar për këtë çështje.

Ndryshe nga konstatimet e Këshillit Prokurorial, miratimi i nismës së tillë, ishte mirëpritur nga vet akterët pjesëmarrës në këtë reformë siç janë përfaqësuesit aktiv të shoqërisë civile dhe të tjerë dhe i cili fakt, nuk kishte nxitur reagimin kundërshtues të shumicës së partnerëve ndërkombëtarë pjesëmarrës në këtë nismë (përjashto atë të zyrës së BE-së që ka të bëjë me kërkesën e tyre për dërgim të serishëm në Komisionin e Venecias dhe adresim të rekomandimeve që kanë të bëjnë me komisionin parazgjedhor, për të cilat, Ministria e Drejtësisë së bashku me Komisionin për Legjislacion, kishin ofruar sqarimet e nevojshme).

Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë i bën thirrje KPK-së të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ministria e Drejtësisë kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi.

Share This