Mbledhja e parlamenteve Shqipëri-Kosovë, Berisha: Të miratohet rezoluta e rrëzuar për gjenocidin serb
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot që të miratohet rezoluta e rrëzuar për gjenocidin serb përpara mbledhjes së përbashkët të parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Më datën 20 mblidhen dy parlamentet në Kosovë. Ky parlament nuk mund të shkojë në një mbledhje të përbashkët në një kohë kur ka hedhur poshtë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, ndaj do kërkojmë me urgjencë që kjo rezolutë të votohet para se parlamenti të shkojë në sesion të përbashkët në mënyrë që të mos jetë një hipokrizi kombëtare, por të jetë një akt i pranueshëm kombëtar”, tha Berisha në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit.
Së dyti, shtoi Berisha, “të kërkojë të falur sepse Edi Rama ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Republikës së Kosovës”.
“Ky parlament duhet të kalojë një rezolutë ndjese publike kombëtare për aktin e turpshëm antikombëtar të Shqipërisë si asnjë vend tjetër fqinj, përveç Shqipërisë ndaj Kosovës”, tha Berisha.
I pyetur për deklaratën e ambasadës së SHBA, Berisha tha se “nuk jam këtu për të diskutuar të shkuarën. 5 nëntori u dha përgjigje këtyre. Kjo është administratë që ka humbur. Nuk jam këtu për të harxhuar kohë për të shkuarën. Duhet të më pyesni për të ardhmen. Po më pyetët për administratën që vjen, se për administratën që ikën, nuk besoj që ka mbetur gjë që nuk kam thënë para jush. Nuk rri të komentoj unë tani, të themi, çfarë t’i thuash, ajo ishte shkruar nga dora e Kimit, bile e kishte ndryshuar pak. Nuk mund të komentoj administratën që ikën”. /ATSH/