Maqedonci: Pjesëmarrja në ‘Defender Europe 25’ dëshmi e progresit të Forcës

Maqedonci: Pjesëmarrja në ‘Defender Europe 25’ dëshmi e progresit të Forcës

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilluan një vizitë zyrtare te trupat e FSK të angazhuara në Ushtrimin Fushor “Defender Europe 25”.

Forca e Sigurisë së Kosovës, njofton se vizita u zhvillua në Kontrollën e Lartë të Ushtrimit dhe në Post Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, ku udhëheqësit kosovarë u pritën nga përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura të SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në njoftim thuhet se me këtë rast, Ministri Maqedonci dhe GLT Jashari përgëzuan pjesëtarët e FSK për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë fazës së planifikimit dhe përgatitjeve për ushtrimin. Ata vlerësuan pjesëmarrjen e Kosovës si nikoqire në një ushtrim të këtij niveli ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit shumëkombësh dhe zhvillimit të kapaciteteve për operacione të përbashkëta me aleatët e NATO-s.

“Pjesëmarrja jonë në ‘Defender Europe 25’ është dëshmi e progresit të Forcës sonë dhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të ndërveprueshmërisë me aleatët tanë strategjikë,” deklaroi Ministri Maqedonci gjatë vizitës, raporton rtk.

Ushtrimi “Defender Europe 2025”, i organizuar nga Komanda Amerikane për Europë dhe Afrikë (US EUCOM), është një nga më të mëdhenjtë në rajon dhe ka për qëllim forcimin e gatishmërisë së përbashkët dhe reagimit të shpejtë të forcave aleate. Kjo është hera e tretë radhazi që Forca e Sigurisë së Kosovës merr pjesë në këtë seri ushtrimesh ndërkombëtare.

Share This