Macron paralajmëron vendimin: Asetet e ngrira ruse do të financojnë Kievin, zgjidhja vjen brenda disa ditësh

Macron paralajmëron vendimin: Asetet e ngrira ruse do të financojnë Kievin, zgjidhja vjen brenda disa ditësh

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se çështja e debatueshme e përdorimit të aseteve të ngrira ruse do të marrë një zgjidhje përfundimtare shumë shpejt. Pas një videokonference me aleatët e Kievit, kreu i Elizesë konfirmoi se këto fonde do të kthehen në garancinë kryesore për financimin e mbijetesës së Ukrainës.

Zgjidhja brenda ditësh

Macron u tha gazetarëve se formula ligjore dhe financiare po finalizohet dhe do të bëhet publike së shpejti.

“Ne do të finalizojmë në ditët në vijim, në koordinim me të gjitha vendet më të interesuara evropiane, me BE-në dhe Komisionin Evropian, një zgjidhje që do të garantojë financimin,” deklaroi Presidenti.

Sipas tij, ky mekanizëm do t’i japë Ukrainës siguri afatgjatë financiare, ndërkohë që ruan presionin mbi Moskën.

Mjet presioni ndaj Moskës

Për Macron, miliardat e bllokuara në bankat perëndimore janë “jashtëzakonisht të rëndësishme” dhe shërbejnë si një “mjet për të ushtruar presion” ndaj Kremlinit.

Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj qëndrimit të Rusisë në terren. Presidenti francez theksoi se aktualisht “nuk ka dëshirë të qartë nga Rusia për një armëpushim”, duke hedhur poshtë zërat për një paqe të menjëhershme pa kushte.

Mbështetje ushtarake “pa kufizime”

Në kontrast me disa zëra më të moderuar, Macron përsëriti mbështetjen e tij të palëkundur për një “ushtri të fortë ukrainase” dhe specifikoi se kjo mbështetje duhet të jetë “pa kufizime”.

Deklarata sinjalizon se Parisi është i gatshëm të vazhdojë furnizimin me armatime të rënda, pavarësisht kërcënimeve ruse për përshkallëzim. /rtsh/

Share This