Macron dhe Xi premtojnë bashkëpunim për paqen dhe tregtinë

Macron dhe Xi premtojnë bashkëpunim për paqen dhe tregtinë

Franca  dhe Kina u zotuan për bashkëpunim më të thellë në çështje globale si: lufta në Ukrainë dhe tregtia, ndërsa Franca po përgatitet të marrë presidencën e Grupit të Shtatëshes vitin e ardhshëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, të enjten në mëngjes, në kuadër të një vizite shtetërore triditore të përqendruar në tregti dhe diplomaci, raporton AP.

Franca kërkon ndihmë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Udhëheqësi francez po kërkon të përfshijë Pekinin në ushtrimin e presionit ndaj Rusisë për një armëpushim me Ukrainën, pas një vale të fundit diplomacie rreth një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA.

“Po përballemi me rrezikun e shpërbërjes së rendit ndërkombëtar që ka sjellë paqe në botë për dekada, dhe në këtë kontekst, dialogu mes Kinës dhe Francës është edhe më thelbësor se kurrë,” tha Macron të enjten.

“Shpresoj që Kina t’i bashkohet thirrjes dhe përpjekjeve tona për të arritur, sa më shpejt të jetë e mundur, së paku një armëpushim në formën e një moratoriumi mbi sulmet që synojnë infrastrukturën kritike,” shtoi ai.

Xi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt thirrjes së Francës, por tha se “Kina mbështet të gjitha përpjekjet që punojnë drejt paqes” dhe bëri thirrje për një marrëveshje paqeje që të pranohet nga të gjitha palët.

Kina i ka ofruar mbështetje të fortë diplomatike Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës dhe gjithashtu i ka dhënë asaj një ndihmë ekonomike përmes rritjes së tregtisë.

Xi njoftoi gjithashtu se Kina do të ofrojë 100 milionë dollarë për të ndihmuar krizën humanitare në Gaza dhe për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e territorit.

Xi bëri thirrje për ndërtimin e një besimi më të madh politik me Francën përmes mbështetjes së ndërsjellë, duke demonstruar “pavarësinë” e secilës palë.

“Pavarësisht se si ndryshon mjedisi i jashtëm, të dyja palët, si fuqi të mëdha, duhet gjithmonë të demonstrojnë pavarësi dhe vizion strategjik, të tregojnë mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë për çështjet thelbësore dhe kritike,” tha ai, raporton rtk.

“Kina dhe Franca duhet të tregojnë ndjenjën e përgjegjësisë, të mbajnë lart flamurin e multilateralizmit… dhe të qëndrojnë fort në anën e duhur të historisë,” shtoi Xi.

Tregtia ishte një tjetër fokus kryesor i axhendës së së enjtes.

Xi tha gjatë paraqitjes së përbashkët se të dyja palët kanë rënë dakord të punojnë drejt një bashkëpunimi më të madh ekonomik në fushat e hapësirës ajrore, aviacionit, energjisë bërthamore, si dhe në fusha të reja si industritë e gjelbra dhe inteligjenca artificiale. Ata nënshkruan 12 marrëveshje, përfshirë marrëveshje për një raund të ri bashkëpunimi në ruajtjen e pandave dhe shkëmbime në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Bashkimi Evropian ka një deficit të madh tregtar me Kinën: mbi 300 miliardë euro vitin e kaluar. Vetë Kina përfaqëson 46% të deficitit total tregtar të Francës.

Franca dhe Bashkimi Evropian e kanë përshkruar Kinën njëkohësisht si partnere, konkurrente dhe rivale sistemike. Vitet e fundit janë shënuar nga mosmarrëveshje tregtare në disa industri, pasi BE-ja nisi një hetim mbi subvencionet kineze për automjetet elektrike dhe Kina u kundërpërgjigj me hetime ndaj importeve të rakisë (brandy), mishit të derrit dhe produkteve të qumështit nga Evropa.

Share This