
Lushtaku: Nëse Limaj do që të marrë fund politikisht, mund të shkojë në koalicion me Kurtin, por s’besoj
Sami Lushtaku, nënkryetar i Skënderajt dhe një figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike të Kosovës e ka komentuar gatishmërinë e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, për të shkuar në një koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit aktual, Albin Kurti.
Ai i tha televizionit T7 se do të donte që ish-bashkëluftëtari i tij të kthehej në PDK. Nëse do të shkonte në koalicion me Kurtin, Lushtaku tha se Limaj do të merrte fund politikisht, ndonëse tha se nuk e beson shumë se kjo mund të ndodhë.
“E vërteta është që unë e kam bashkëluftëtar, kemi hangër dreka e darka e kemi komuniku bashkë, dëshira jem ka qenë gjithmonë që ai të kthehet në shtëpinë e familjen e vet, në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe Fatmir Limaj nëse do që përfundimisht me përfundu politikisht, mundet me shku, por nuk e besoj edhe këtë pjesë”, tha Lushtaku.
Limaj tha të enjten se me AAK-në, me të cilën garoi së bashku në koalicion në zgjedhje, janë “parti të ndara”, ndërsa tha se është i interesuar t’i realizojë “objektivat” që i ka pasur koalicioni “edhe me të tjerët”.
Polemika të shumta në distancë ndërmjet eksponentëve të AAK-së dhe Nismës shkaktoi kjo deklaratë e Limajt.