
“Luli” i Dardanëve kundër sulmeve ndaj Federatës, bën ftesë për bashkim
Lulzim Berisha, kryetar i tifogrupit “Dardanet”, ka bërë një deklaratë të fortë në prag të dy ndeshjeve vendimtare të Kombëtares së Kosovës, ndaj Sllovakisë dhe fazës përfundimtare që mund të çojë ekipin në Kupën e Botës 2026.
Berisha tha se, përkundër energjisë dhe momentit të shkëlqyer që ka krijuar Kombëtarja gjatë muajve të fundit, po shfaqen pengesa dhe protagonistë artificialë që përpiqen të minojnë organizimin dhe moralin e ekipit.
“Zëra që nuk kanë qenë kurrë aktorë relevantë në futboll përpiqen përmes intrigave të marrin rolin e protagonistëve,” tha ai, duke shtuar se në këtë maskaradë nuk mungon edhe ndërhyrja e mekanizmave shtetërorë, që sipas tij, kontaminojnë publikun me negativitet para grumbullimeve të rëndësishme.
Berisha bëri thirrje për bashkim dhe mbështetje për Kombëtaren:
“Ky pluhur artificial është i pafuqishëm për të ndalur rrugëtimin historik që ka nisur dhe që do të kulmojë me valimin e flamurit të Republikës në SHBA gjatë qershorit. Vazhdojmë bashkë dhe të pathyeshëm drejt qëllimit kryesor: pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026!”
Deklarata e tij vjen në një moment kyç për Kombëtaren e Kosovës, që synon të përmbushë ëndrrën historike të pjesëmarrjes në turneun më të madh të futbollit botëror.


