Lufta ndaj Hezbollahut, SHBA thirrje Izraelit: Mos e kalo vijën e kuqe në Liban
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Izraelin të mos synojë infrastrukturën shtetërore libaneze ndërsa lufton ndaj Hezbollahut.
Në paralajmërim thuhet se SHBA i ka kërkuar Izraelit të mos e kalojë vijën e kuqe që çon në luftë të gjithanshme në Lindjen e Mesme.
SHBA i ka kërkuar Izraelit që “në asnjë rrethanë” të mos dëmtojë infrastrukturën dhe/ose asetet e shtetit sovran të Libanit. Ndërsa i ka bërë të ditur që “të bëjë dallime sa më shumë që të jetë e mundur” ndërmjet Hezbollahut dhe Libanit.
Ndërkaq, nga ana e tij, Izraeli ka deklaruar se është i hapur ndaj ideve për de-përshkallëzimin e konfliktit në Liban.
Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se po eksploronin disa “ide konkrete” me aleatët dhe partnerët mbi depërshkallëzimin ka reaguar ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, sipas të cilit “ka forca të rëndësishme që përpiqen të nxjerrin ide dhe ne jemi mendjehapur për këtë”.
“Ne nuk jemi të etur për të filluar ndonjë pushtim tokësor. Ne preferojmë një zgjidhje diplomatike”, ka theksuar Danon.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë të Departamentit të Shtetit, SHBA po diskutonte me aleatët dhe partnerët disa ide konkrete për të gjetur një platformë jashtë devijimit që do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të luftimeve dhe do të reduktonte tensionet.
“Ne ende mendojmë se nuk është tepër vonë për qeverinë libaneze, për popullin libanez, që të ushtrojë presion mbi Hezbollahun për të ndaluar agresionin e tyre. Nëse ata nuk do të lëshojnë raketa në Izrael, atëherë ne do të jemi në gjendje t’i kthejmë banorët tanë, në komunitetet e tyre”, tha ai.