Liverpool nuk gabon në Anfield, mposht lehtë Aston Villan
Liverpool regjistroi fitoren e dytë radhazi në Premier League teksa “The Reds” mposhtën me shifrat 3-0 Aston Villan.
Të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp nuk e vendosën për asnjë moment në dyshim fitoren, kjo edhe pasi ndeshjen e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme duke gjetur golin që në minutën e tretë me Dominik Szoboszlai. Mesfushori hungarez goditi saktë nga distanca duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit Emiliano Martinez.
Në vijim, vendasit gjetën edhe golin e dytë. Në fakt ishte një autogol teksa Matty Cash devijoi topin gabimisht në portën e tij pas goditjes së Darwin Nunez.
Me shifrat 2-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Liverpool shënoi edhe të tretin në minutën e 55-të. Ishte Mohamed Salah që shtyu saktë topin në rrjetë duke “vrarë” kështu shpresat e miqve për një rezultat pozitiv në Anfield.
Pas këtij triumfi, Liverpool ngjitet në kuotën e dhjetë pikëve në vend të tretë ndërsa Aston Villa mbetet në vend të dhjetë me gjashtë pikë.
Në ndeshjen tjetër, Crystal Palace mposhti Wolverhampton me shifrat 3-2.