Liverpool fiton me përmbysje të rezultatit ndaj Leicester
Liverpooli ka arritur t’i gëzohet fitores në duel me Leicester Cityn në “Anfield Road” me përmbysje të rezultatit. “The Reds” fituan me shifrat 3:1, në ndeshjen e sotme të fundit të programit “Boxing Day” në Premier League.
Liverpool dominoi nga minuta e parë deri në fund të pjesës së parë. Portieri polak i Leicesterit, Stolarchuk, u vu në telashe disa herë, por mysafirët ishin të parët që shënuan. “Dhelprat” shfrytëzuan një pakujdesi të mbrojtjes vendase, kur Andre Ayew kaloi Leicesterin në epërsi 0:1.
Pas golit të pësuar, sulmet e vendasve ishin edhe më të ashpra, teksa Cody Gakpo shënoi një gol tërheqës për t’i çuar skuadrat në pushim, 1:1. Pas vetëm katër minutash lojë në pjesën e dytë Liverpooli kaloi në epërsi 2:1 përmes Curtins Jones. Ndërkaq në minutën e 70-të rrjeta e mysafirëve u tund sërish, por pas një rishikimi të gjatë në sallën e VAR-it, goli i Gakpos u anulua. Mirëpo, në minutën e 82-të, Mohamed Salah u dha fund të gjitha shpresave të mysafirëve nga Leicester për rezultat pozitiv, me golin e tij të 16-të në Premier League këtë sezon.
Me këtë fitore, Liverpooli e rriti avantazhin ndaj Chelseat në shtatë pikë, ndërsa skuadra e Slott ka një ndeshje më pak. Leicester mbetet në zonën e “kuqe” me 14 pikë të fituara.