
Limaj: Kosova do ta ketë së shpejti shumicën parlamentare
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova është në prag të krijimit të një shumice të re parlamentare, e cila do të mundësonte zhbllokimin e situatës aktuale politike.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Limaj theksoi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin maksimal në këtë proces.
“Shumica formohet para se të shkohet në Kuvend e në votim”, tha Limaj, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë lëvizje të rëndësishme politike prapa skenës.
Ai u shpreh optimist se “Kosova do ta ketë së shpejti shumicën parlamentare”, duke shtuar se ky është hapi i domosdoshëm për të dalë nga ngërçi institucional.
“Sigurojë se së shpejti do të ketë shumicë. Kur bisedoni, ka një kod të komunikimit, nuk mundesh me thane po ose jo. Duhet më gjerësisht, kërkoj mirëkuptim. Do ta keni krejt ku jemi. Ajo që mund të sigurojë është se Nisma do të jep kontribut për të tejkaluar krizën”, tha ai.
Limaj foli edhe për nevojën e kompromisit në politikë dhe tha se në Kosovë po rritet zëri i arsyes në një klimë të mbushur me papërgjegjësi dhe arrogancë politike.
“Po bashkohemi, burra e gra, që ky zë e kjo platformë të fuqizohet. Politikanët që dinë të bëjnë kompromise, janë ata që dinë të japin zgjidhje. Kosova është mbi ne. Ne jemi të zgjedhurit, jo për të bërë gara, por për ta çuar vendin përpara,” deklaroi Limaj, duke shtuar se Nisma është e përgatitur për zgjedhje lokale, por edhe për të marrë përgjegjësi institucionale në nivel qendror.
I pari i NISMËS deklaroi se Kosova ka nevojë për politikanë që ditë të bëjnë kompromise.
“Nisma është një parti politike që ka ditur të marrë vendime te guximshme kur është dashur për vendin. Ne jemi ata që e bëjmë diferencën e lidershipit nga kalkulimet partiake ditore. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të ketë njerëz të tillë në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Limaj./Telegrafi/