Limaj flet për mospajtimet në mes të Osmanit dhe Kurtit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në lidhje me marrëdhëniet në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ka theksuar se mes tyre ka mospajtime të qarta.
Për “Debat Plus”, Limaj ka thënë se ka një përplasje të dukshme në mes të dy institucioneve më të larta të Kosovës.
“Presidentja flet me nëntekst dhe është e dukshme se marrëdhëniet mes Presidencës dhe kryeministrit kanë telashe dhe probleme që ende nuk janë qartësuar. Unë besoj se presidentja ende nuk ka folur qartë rreth marrëdhënieve të tyre dhe mospajtimeve që kanë”, ka deklaruar Limaj.
Limaj ka theksuar se është e rëndësishme të kuptohet se për çfarë janë në mospajtime.
“Ne duhet të dimë saktë mospajtimet dhe të shohim nëse ato janë lidhur me tema nacionale të rëndësishme për Kosovën apo janë thjesht mospajtime personale”, ka shtuar ai.
Në një deklaratë të fundit, presidentja Osmani ka thënë se Asociacioni është ofruar për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).
Ndërkohë, Limaj ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar ky proces, duke e quajtur atë një “tentim të një lloj mashtrimi në minutat e fundit”.
“Janë zotuar para organeve për implementimin e Asociacionit dhe kanë tentuar ta bëjnë një lojë në natën e fundit. Kjo tregon papjekurinë politike dhe tentim të një lloj mashtrimi në minutat e fundit me i vendosë në lajthitje mekanizmat ndërkombëtarë”, ka deklaruar Limaj.