Limaj: Do ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përmbyllur ditën me një takim në Drenoc të Malishevës, ku falënderoi qytetarët e kësaj komune për mbështetjen e tyre të fuqishme.
“Po e mbyllim ditën në Drenoc, duke falënderuar nga zemra të gjithë qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme,” deklaroi Limaj.
Në këtë takim, ai ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete Arbëreshë Krasniqi, duke theksuar angazhimin e përbashkët për të rikthyer Kosovën në rrugën e duhur.
“Qytetarët e Drenocit janë rreshtuar fuqishëm për NISMA Socialdemokrate, dhe ne u zotuam se do të angazhohemi ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur,” tha Limaj.
Ai shtoi se zhvillimi ekonomik, siguria dhe garancitë për qytetarët janë prioritetet kryesore të partisë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit.
“#VeçVEPRA duhen për zhvillim ekonomik, siguri dhe garanci. Ne besojmë se vetëm me bashkëpunim dhe angazhim të përkushtuar mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës,” përfundoi ai, raporton rtk.