LDK-ja: 150 euro koeficienti që nga java e parë e qeverisjes, e jo lëmoshë për blerjen e votave

LDK-ja: 150 euro koeficienti që nga java e parë e qeverisjes, e jo lëmoshë për blerjen e votave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimit të qeverisë për ndarjen e 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë.

“Vizion në javën e parë të mandatit, apo panikë në muajt e fundit?”, ka shkruar LDK-ja në faqen zyrtare në “Facebook”.

Më tutje në reagim është thënë se LDK-ja e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro.

“Ky pra është dallimi. Sepse LDK e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro – që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro – për të gjithë shërbyesit publik në javën e parë të mandatit, dhe zgjidhje të qëndrueshme që i përgjigjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së kjo ka dallim të madh me “lëmoshën” e dhënë në fund të vitit.

“Kjo ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër. Sepse kjo që pamë sot nga kjo qeveri nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikës dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqësi e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vite qeverisje”, është thënë në këtë reagim.

LDK-ja ka vlerësuar se qytetarët janë të lodhur nga qeverisja e paaftë.

“Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë! E këtë ndryshim, me mirëqenie, mundësi e paga të mjaftueshme për të gjithë dhe atë gjatë tërë vitit, do ta sjell vetëm LDK nën udhëheqjen e dr. Lumir Abdixhikut dhe ekipit tonë profesionist. Bashkë me qytetarët e vendit do të bëhemi ndryshimi i domosdoshëm për Kosovën!”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Share This