Lajçak paralajmëron vizitën në Kosovë
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar vizitën e tij në Prishtinë për ta përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve.
Një gjë të tillë ai e ka bërë përmes një postimi të zakonshëm të fundjavës në Facebook, ku përmbledh aktivitetet e tij javore.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem drejt Bledit për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe drejt Prishtinës për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.
Ai tutje ka shkruar për ditët e ngarkuara në Forumin Evropian të Alpbachut dhe në Forumin GLOBSEC në Pragë.
Ai ka thënë se një prej momenteve të rëndësishme ka qenë takimi me zëvendësndihmësekretarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov në margjinat e GLOBOSEC. Po ashtu ka veçuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e radhës në dialog.