Lajçak: Është koha të fillojë zbatimi i marrëveshjes për normalizim

Lajçak: Është koha të fillojë zbatimi i marrëveshjes për normalizim

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se po përgatiten për takimin e radhës të kryenegociatorëve i cili pritet të zhvillohet pas katër ditësh në Bruksel.

Ai takimin e javës së shkuar me kryenegociatorin kosovar Besnik Bislimi në Vjenë e quajti produktiv ku tha se patën diskutime të thella rreth hapave të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit për çka thotë se është koha për të filluar seriozisht zbatimin.

Derisa ka bërë një rikapitulim të angazhimit të tij të ditëve të fundit, sllovaku e ka quajtur si moment kryesor pjesëmarrjen në përvjetorin e Samitit të Procesit të Berlinit pjesë i së cilit samit jubilar ishte me ftesë të kancelarit Olaf Scholz.

Ndërkohë, emisari i BE-së të cilit iu vazhdua ky mandat deri në janarin e vitit që vjen tregoi se javën e përfundoi në Londër, duke u takuar me të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach, zyrtarë të FCDO dhe ekspertë për Ballkanin Perëndimor. /rtk/

Share This