Lajçak: Çështja e urës së Ibrit të diskutohet në dialog
Emisari i special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
Lajçak përmes një reagimi në platformën “X”, ka theksuar se BE-ja vazhdimisht ka thënë se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar ai.
Sipas tij, imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve.
“Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, ka shkruar ai. /rtk