Kuvendi sqarohet për ekspozitën: Përmbajtja mbetet përgjegjësi e autorëve

Kuvendi sqarohet për ekspozitën: Përmbajtja mbetet përgjegjësi e autorëve

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka reaguar pas debatit të fundit rreth ekspozitës, duke sqaruar se mbështetja për të është dhënë në kuadër të praktikave institucionale për iniciativa me interes publik, ndërsa përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve.

Në një sqarim për media, Kuvendi ka bërë të ditur se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.

Sipas njoftimit, duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla.

“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, raporton rtk.

Tutje, Kuvendi thekson se kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur.

Në të njëjtën kohë, sipas Kuvendit, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, që kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Kuvendi ka bërë të ditur se, në këtë rast, do t’ua adresojë shqetësimet e ngritura organizatorëve të ekspozitës.

Share This