Kuvendi i Kosovës mban seancë, në rend dite 32 pika
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në seancë plenare. Mbledhja fillon në ora 10:00, në rend dite janë 32 pika.
Në rend dite mes tjerash është dhe votimi për ratifikimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës |Hasan Prishtina”, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ai për gjendjen civile si dhe projektligji për maturën shtetërore.
Gjithashtu deputetët në rend dite do të kenë edhe votimin e Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, shqyrtimin e Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, raportimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, raporton RTKlive.
Njëra nga pikat e rendit të në seancën e sotme plenare është edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028 si dhe Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.