
Kusari-Lila s’i komenton deklaratat e Limajt për koalicion: Herët të flitet për mundësitë e bashkëpunimit
Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, e cila në këto zgjedhje kandidoi bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë Guxo në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka thënë se grupi i tyre ka hyrë në këto zgjedhje për të qeverisur vetëm.
Në një deklaratë për “T7”, Kusari-Lila kur u pyet për deklaratat e kreut të Nismës, Fatmir Limaj, i cili i hoqi vijat e kuqe për Vetëvendosjen nuk komentoi me arsyetimin se “është herët të flitet” kur rezultatet ende s’janë certifikuar.
“Lëvizja Vetëvendosje, grupi ynë, ka qenë i qartë për qeverisje të vetme, e para. E dyta, që ende pa u certifikuar rezultatet, pa u konfirmuar mandatet është shumë herët të flitet për çfarëdo mundësie bashkëpunimi në të ardhmen. Nuk kisha komentuar specifikisht në deklaratat e z. Limaj për arsye se ka të bëjë me një proces i cili është ende duke vazhduar, prandaj besoj deklarimet dhe komentet për to mund t’i bëjnë të tjerët”, ka thënë ajo.