Kurti:Forcimi i Bosnjës e Kosovës ndihmon që Serbia të mos përsërisë krimet

Kurti:Forcimi i Bosnjës e Kosovës ndihmon që Serbia të mos përsërisë krimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë sot folësi kryesor në seancën e zgjeruar të asociacionit të intelektualëve “Krug 99”, e cila u mbajt në Vijeçnicë të Sarajevës. Në fjalimin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilat, siç tha ai, janë të bazuara në njerëzit dhe vlerat e përbashkëta.

Sipas mediave boshnjake, Kurti ka deklaruar se vizita e tij në Sarajevë nuk mund të anulohej, pavarësisht faktit që Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i planifikuar të mbahej në Neum, u anulua. Ai e ka nisur fjalimin e tij duke cituar Alija Izetbegoviçin, presidentin e parë të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke shprehur mbështetje për sovranitetin dhe vazhdimësinë e Bosnjës si shtet.

“Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg nga Prishtina, por unë dhe delegacioni im u desh të kalonim përmes kufizimeve të vizave për të ardhur këtu. Sjell përshëndetjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët e konsiderojnë Bosnjën një mik dhe partner. Ne ndajmë histori të përbashkët dhe kemi një të ardhme të përbashkët evropiane,” ka deklaruar Kurti, duke theksuar se Kosova tashmë ka zbatuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë bazuar në kartat e identitetit, si pjesë e Procesit të Berlinit.

Në vijim, Kurti ka kujtuar lidhjen historike dhe tragjike ndërmjet dy shteteve gjatë luftërave të viteve ’90. “Bosnja dhe Kosova janë të lidhura përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Në shumë mënyra, Kosova i ka borxh Bosnjës. Në Bosnje, ndërhyrja e NATO-s ndodhi pas katër vitesh lufte, ndërsa në Kosovë pas dy vitesh. Kjo tregon rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar,” ka shtuar ai.

Tutje, Kurti ka cituar diplomatin amerikan Derek Chollet, duke kujtuar përmbajtjen e një libri të Richard Holbrooke. Ai ka kritikuar faktin që termi “Republika Srpska” vazhdon të përdoret, duke e cilësuar si një simbol negativ dhe problematik.

“Në vend që të zemërohet, regjimi në Beograd duhet të ndiejë turp për të kaluarën e tij kriminale. Negacionizmi i krimeve në Bosnje dhe në Kosovë tregon se ata do t’i përsërisnin, nëse do të kishin mundësi. Forcimi i Bosnjës dhe Kosovës kontribuon në parandalimin e përsëritjes së krimeve,” ka përfunduar Kurti, sipas Klix.ba. /rtk/

Share This