Kurti viziton fushën me luledielli në Ferizaj: Ushqimi – nga toka jonë

Kurti viziton fushën me luledielli në Ferizaj: Ushqimi – nga toka jonë

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar fushën e mbjellë me luledielli nga fermeri Shukri Sallahu në Zllatar të Komunës së Ferizajt.

Ndonëse rezultati përfundimtar i fushës së mbjellë me luledielli do të shihet në fund të muajit gusht, kryeministri Kurti shprehu përgëzime për punën e deritanishme të fermerit Sallahu i cili këtë vit mbolli 53 hektarë, derisa vitin e kaluar pati mbjellur 30 hektarë me luledielli.

“E përgëzova për punën dhe për rezultatin i cili shihet qysh tash ndonëse përfundimisht do ta shohim në fund të gushtit atëherë kur kjo fushë me luledielli do të korret dhe do të mund të ngarkohet për t’u shndërruar në vaj”, tha kryeministri.

Ai shtoi se Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka subvencionuar vitin e kaluar fermerët që kanë mbjellë gjithsej 280 hektarë me luledielli, ndërkaq sivjet kanë pranuar aplikime për subvencionim për 1100 hektarë me luledielli.

“Ushqimi ynë në tryezat tona duhet të jetë nga toka jonë në të gjitha kulturat bujqësore që mund të bëhen në Kosovën tonë të dashur”, përfundoi kryeministri Kurti, raporton rtk.

Ndërkaq, Shukri Sallahu, fermer i fshatit Zllatar, pati falënderim të veçantë për kryeministrin. Ai tha se me lehtësimin e procedurave për aplikim dhe rritjen e subvencioneve për fermerët nga Qeveria, është rritur edhe vullneti për punë.

Kurti u shoqërua nga zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, deputetët e Kuvendit, Valon Ramadani, Shqipe Metaj Isufi, Adelina Grainca dhe Enver Haliti.

Këtë vit në mesin e shumë kulturave tjera bujqësore, fermerët aplikues përfituan subvencione prej 454 euro për një hektar të mbjellur me luledielli nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Share This