
Kurti: UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe çlirimtare, kërkesa e Prokurorisë në Hagë cenon të vërtetën historike
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënime deri në 45 vjet burgim për secilin nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë qasje si të padrejtë dhe të shkëputur nga konteksti historik e politik i luftës në Kosovë.
Kurti theksoi se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës qëndron në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit, duke nënvizuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare.
“UÇK-ja u zhvillua në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik dhe politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë plan për shfarosjen e ndonjë populli tjetër apo të civilëve, duke kundërshtuar barazimin e luftës çlirimtare me veprime individuale të izoluara.
Sipas Kurtit, kërkesa e Prokurorisë për dënime prej 45 vitesh burgim nuk mbështetet në asnjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit dhe injoron plotësisht realitetin e luftës në Kosovë.
“Kjo qasje përpiqet ta vendosë çështjen në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare dhe kryengritjeje anti-kolonialiste,” theksoi ai.
Në përfundim, Kurti deklaroi se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë, ndërsa institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë.


