Kurti u kërkon falje nxënësve të shkollës `Ali Hadri`: Gabova në ekuacion
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar falje nxënësve të klasës së shtatë të shkollës “Ali Hadri”, për një ekuacion matematikor të cilin thotë se e zgjidhi gabim.
Në një postim në Facebook, kryeministri ka shkruar se është i gëzuar që nuk ishte nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrte notë kaluese.
Ai sqaron se zgjidhja e saktë është x=0 dhe jo x=5, siç e kishte shkruar ai në tabelë.
“Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, ka shkruar Kryeministri Kurti, raporton rtk.