Kurti takon Walker-in një ditë para përvjetorit të masakrës së Reçakut
Një ditë para se të mbushen plot 26 vjet nga masakra e Reçakut, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin William Walker që atë botë si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së u bë dëshmitari që i tregoi botës për krimet serbe në Kosovë.
Sipas njoftimit nga kryeministria, në këtë takim u diskutua një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.
“Në këtë takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Theksoi rolin domethënës dhe proaktiv të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për ta bërë të mundur botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, i cili dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut”, thuhet në njoftimin kryeministror.
Aty citohet kryeministri të ketë thënë se libri dhe dëshmitë e Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që Kosova ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë.
“Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut”, ka thënë Kurti.
Dy vite më parë Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të Ambasadorit Walker në vlerë prej 70 mijë euro.
“Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri te audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Sipas tyre, ky libër pasqyron perspektivën e Ambasadorit Walker si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së dhe është një pasqyrë e vërtetë dhe e pazëvendësueshme e ngjarjeve që ndodhën më 15 janar 1999 në fshatin Reçak.
“Ai është një akt i rëndësishëm që kontribuon në dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë, duke çuar përpara njohjen ndërkombëtare të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës së luftës”, thuhet ndër të tjera aty.
Sipas qeverisë, ky libër kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Pavarësisht 26 viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës dhe populli ynë mbeten të angazhuar për të siguruar që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë”. /rtk/