Kurti: SHBA partnere dhe aleate e madhe e vendit tonë

Kurti: SHBA partnere dhe aleate e madhe e vendit tonë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, takoi gjenerallejtënantin amerikan, Michael Fenzel, koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Izrael dhe Autoritetin Palestinez.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se gjatë bisedës, kryeministri Kurti e njoftoi gjenerallejtënantin Fenzel për progresin dhe rritjen ekonomike në katër vjet e fundit, politikat shpërndarëse dhe punësimit, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe avancimit të të drejtave politike dhe lirive civile.

“Krahas tyre, ai theksoi investimet në mbrojtje dhe armatim, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mike e veçantë, partnere e pazëvendësueshme dhe aleate e madhe e vendit tonë, dhe kontributin e çmueshëm të saj në çlirim, pavarësim dhe demokratizim të vendit, por edhe në avancimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë, raporton RTK.

Tutje, kryeministri veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, nga blerja e sistemit raketor anti-tank ‘Javelin’ e helikopterët ‘Black Hawk’, deri te bashkë-zbarkimi me trupat amerikane në Kuvajt, dhe pjesëmarrja si vend pritës në ushtrimin ‘Defender Europe 25’, por edhe në fushën humanitare me ndihmën e dhënë për strehimin në Kosovë të refugjatëve afganë. Së fundmi, Republika e Kosovës gjithashtu ka ndarë pesëqind mijë euro (500.000 euro) për ndihmë humanitare në Gaza.

“Në takim u diskutua për mundësitë e përfshirjes dhe kontributit të Kosovës në nisma të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të përbashkët”, thuhet në fund të komunikatës.

Share This