Kurti publikon pamje brenda Klinikës së Onkologjisë: Sot është krejt tjetër
Klinika e Onkologjisë në QKUK ka përjetuar një transformim të rëndësishëm, duke u bërë një prej qendrave më moderne në rajon për trajtimin e sëmundjeve onkologjike.
Me investime të mëdha në teknologji dhe përmirësimin e shërbimeve, klinika tani ofron trajtim të avancuar dhe të shpejtë për pacientët.
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka theksuar rëndësinë e investimeve në këtë klinikë. “Adresa e klinikës është e njëjtë, por Klinika e Onkologjisë sot është krejt tjetër. Ajo është e pajisur me akseleratorin e gjeneratës së fundit, që krahas trajtimit më të mirë të sëmundjeve, ka eliminuar kohën e pritjes së pacientëve dhe tash të gjithë pacientët mund të marrin trajtim brenda vendit”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.
Ai tutje ka thënë se tani kjo klinikë ka sistemin e teknologjisë së fundit laserik C-RAD, i vetmi i teknologjisë së tillë në rajon, përmes së cilit ofrohet siguri maksimale gjatë rrezatimit të pacientëve që i nënshtrohen radioterapisë në këtë klinikë.
“Për herë të parë, klinika është pajisur me klimatizim dhe digjitalizim të shërbimeve. 60 shtretërve modern së shpejti pritet t’i shtohen edhe 50 të tjerë për ta çuar në 110 numrin total të tyre, nga vetëm 45 sa ishin para dy muajve e për shumë vite rresht. Në të njëjtën kohë, po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe lista e barnave esenciale është zgjeruar për shkak se buxhetin për barna esenciale e kemi rritur për 150%. Klinikë pas klinike. Javën tjetër radhën e ka Klinika e Urologjisë”, ka shtuar kryeministri.