Kurti për Lybeniqin: Një plan i errët shfarosjeje nga forcat serbe

Kurti për Lybeniqin: Një plan i errët shfarosjeje nga forcat serbe

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Lybeniqit të ndodhur më 1 prill 1999, duke e cilësuar atë si një akt të planifikuar shfarosjeje nga forcat serbe.

“Më 1 prill të vitit 1999, në agimin e një dite pranvere, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Lybeniq të Pejës… e sulmuan fshatin, me një plan të errët shfarosjeje”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përshkruar se banorët u dëbuan nga shtëpitë dhe u mblodhën në qendër të fshatit. “Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u ndanë dhe u dëbuan, ndërsa 59 burrat u vranë me rafalë të pandalshëm armësh automatike”, ka theksuar ai.

Kurti ka kritikuar mungesën e drejtësisë në Serbi për këtë krim.

“Në Serbi, drejtësia për këtë krim është zvarritur dhe mjegulluar, një drejtësi e cunguar në një shtet gjenocidal”, është shprehur ai, raporton rtk.

Ai ka shtuar se, pavarësisht kësaj, Kosova ka ecur përpara. “Përballë errësirës së djeshme, sot qëndron Kosova e lirë, demokratike që po punon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Në fund, Kurti ka theksuar përkushtimin institucional dhe zhvillimin e vendit. “Nga një vend i shkatërruar nga lufta, sot kemi një shtet që krijon mundësi dhe që u jep shpresë brezave të rinj”, ka përfunduar ai.

Share This