Kurti në takim me O’Brien: Serbia të dorëzojë kryeterroristin Radoiçiq
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në vizitën e tij të parë në Kosovë në pozitën e ndihmës-sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.
Ky takim u zhvillua diç më pak se një muaj nga takimi i fundit që patën në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Bëhet e ditur se përgjatë bashkëbisedimit në kryeministri diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes. Një javë pas Samitit të Procesit të Berlinit, u vlerësua angazhimi, marrëveshja e nënshkruar dhe deklaratat e miratuara që e bënë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit një përvjetor të suksesshëm në avancimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Gjithashtu thuhet se në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar. Kryeministri Kurti në takim ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi. Ndërkaq, përkrah Ndihmës Sekretarit O’Brien ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier”, thuhet në këtë njoftim, raporton rtk.