
Kurti në SHBA: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Shtetet e Bashkuara qasjen e qeverisë së tij në menaxhimin e krizave globale.
Ai mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg me temën “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.
Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka arritur t’i mbështesë qytetarët pa rritur normat e taksave dhe pa e rritur borxhin publik.
Ai theksoi se kjo është një qasje që mund të shërbejë si model edhe për vendet tjera që përballen me kriza ekonomike.
Shefi i ekzekutivit përmendi disa nga masat që, sipas tij, ka ndërmarrë qeveria gjatë mandatit të tij, duke përfshirë subvencionimin e energjisë, mbështetjen për fermerët dhe bizneset prodhuese, programet për punësim të të rinjve, bursat për studentë, rritjen e pagës minimale, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe pensioneve.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e barazisë gjinore, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, duke shtuar se Kosova mund të shërbejë si shembull se si të përballohen krizat pa cenuar stabilitetin demokratik dhe social.


