Kurti në BIK, çmon lartë kontributin e këtij institucioni

Kurti në BIK, çmon lartë kontributin e këtij institucioni

Në mëngjesin e festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast, kryeministri i uroi besimtarët për Fitër Bajramin, duke i dëshiruar agjëruesve agjërim të pranuar. Gjithashtu, shprehu mirënjohje për rolin e BIK-ut në ndihmën ndaj atyre në nevojë dhe forcimin e vlerës së solidaritetit dhe mëshirës.

“Urime e gëzuar Fitër Bajrami. Për hair Bajrami të gjithëve! Zoti kabull agjëruesve dhe një mirënjohje e veçantë për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmon të varfrit, ata të cilët e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme dhe kësisoj dëshmojmë solidaritetin, mëshirën për dinjitet e begati për të gjithë, pa dallim”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson dhe e çmon lartë rolin, kontributin dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, me në krye Myftiun Naim Tërnava, në të gjitha etapat e zhvillimit, përparimit, të rezistencës, çlirimit dhe pavarësimit të vendit tonë.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri përkujtoi edhe 37 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vijnë nga radhët e imamëve, hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Share This