Kurti: Mbretëria e Bashkuar mike dhe aleate kyçe në çdo etapë

Kurti: Mbretëria e Bashkuar mike dhe aleate kyçe në çdo etapë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Shën Stefan, Lord Wood of Anfield, nënsekretar parlamentar i shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Përmes një postimi, Kurti ka thënë se dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm.

Ai ka bërë të ditur se ky takim vjen pas bisedave që ka zhvilluar gjatë dy muajve të fundit me të dërguarën e posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, përfshirë një takim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork dhe një bisedë telefonike nga Prishtina.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin tonë euroatlantik. Tani, me institucione plotësisht funksionale, jemi të përqendruar te reformat dhe zhvillimi, me hapësirë më të madhe për bashkëpunimin tonë, nga mbrojtja deri te Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti në Facebook, raporton rtk.

Kryeministri Kurti dje mori pjesë në Samitin e 13-të të Procesit të Berlinit në Shën Stefan, e ku në adresimin e tij gjatë seancës së këtij samiti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, t’i japë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.

Share This