Kurti: Mbi 20 % e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim një delegacion nga Zvicra, të udhëhequr nga ish-ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Thomas Kolly.
Grupi i cili ka udhëtuar drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor në një vizitë studimore, do të qëndrojë në Kosovë, në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Përgjatë takimit u cekën tema të ndryshme, me interes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura. Kryeministri theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20% e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrisë.
Kryeministri vuri në pah rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC).
Ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re, raporton rtk.