Kurti: Kosova ka shënuar përparim si kurrë më parë në tri vitet e fundit
Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e mbajtur gjatë konferencës “Balkan Leadership Conference” me temën “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor,” theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, me një fokus të veçantë te Kosova, derisa vuri në pah se vendi ynë ka shënuar përparim si kurrë më parë.
Ai nënvizoi se paqja nuk është diçka që duhet marrë si të mirëqenë, por një proces i vazhdueshëm që kërkon përpjekje dhe angazhim të përhershëm.
Kurti theksoi se me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente.
“Natyrisht paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë, por është edhe një punë që realizohet edhe përbrenda. Këtu nuk e vë në dyshim vullnetin e një populli për ta ndërtuar dhe forcuar paqen”, tha Kurti. Në këtë kontekst, ai shprehu besimin e tij në vullnetin e popujve për ndërtimin dhe forcimin e paqes: “Popujt janë të mirë dhe popujt e duan të mirën”.
Tutje Kurti ndau përshtypjet e tij pas vizitës në Varshavë, duke vënë në dukje përpjekjet e popullit polak për rindërtimin e kryeqytetit të tyre pas shkatërrimit masiv nga nazistët në vitin 1944. “Qytetarët e Varshavës, duke u mbështetur në pikturat e venedikasit Bernardo Belotto, rindërtuan qytetin. Tani Varshava është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, tha ai, duke krahasuar këtë përvojë me rindërtimin e Kosovës pas luftës.
“I njëjti vullnet i njerëzve ekziston edhe në vendin tone. Kosova jo vetëm që u rindërtua fizikisht por edhe institucionalisht”, tha Kurti.
Ai shtoi se sfida për Kosovën tani është që qytetarët të bëhen pjesë më e fuqishme e stabilitetit institucional dhe paqes së brendshme.
Kurti e lidhi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit me tranzicionin demografik, duke vënë në dukje uljen globale të natalitetit. Sipas tij, kjo është një sfidë që prek jo vetëm Evropën, por edhe mbarë botën.
“Në lidhje me tranzicionin demografik besoj se janë dy faktorë kryesor që duhet konsideruar, ulja e popullsisë si pasojë e uljes së natalitetit, që nuk është vetëm problem vetëm i Evropës, por edhe mbarë botës, sipas disa projeksioneve deri më 2050 më shumë se ¾ e të gjitha shteteve të botës do të jenë nën nivelin e riprodhimit. Kjo natyrisht është pasojë e një vendimi faktorësh kompleks mes personales, ekonomikes dhe shoqërores. Shumë qeveri po përpiqen me metoda të ndryshme, siç janë ndihmat për familje të reja, ato që i kemi provuar edhe ne në Kosovë për here të parë, për ta tejkaluar këtë sfidë”, tha ai.
Kurti tutje theksoi se valët e integrimit dhe qëndrimi i popullsisë në një vend të vetëm nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit 20, madje as nga fillimi i shekullit të ri.
“Nga viti 2011 deri më tani ka pasur një tkurrje të popullsisë prej 8 përqind. Në të njëjtën kohë ka diku rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet se jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit, ndërkohë që nuk janë të përfshirë në shifrat e përgjithshme të popullsisë. Kjo tregon se realiteti me të cilin përballemi ofron më shumë fleksibilitet se sa kishim më parë”, tha kreu i ekzekutivit.
Sipas tij kjo është për shkak të rritjes së punës nga distanca, aktiviteteve sipërmarrëse dhe arsyeve të tjera që bashkëatdhetarët tanë mund të jenë edhe këtu, edhe atje. Kurti tha se secili vend pavarësisht madhësisë apo pozitës përballet me faktin se një shtet tjetër mund t’i ofrojë dikujt ndonjë gjë që vendi i vet nuk mund t’i ofrojë.
“Por detyra dhe rasti që jepet duhet të jetë frytëdhënës. Duhet të zhvillohet asisoj që deri në kohën kur të anëtarësohemi në BE, do të ketë raste për qytetarët që t’i shijojnë aspektet e jetës kulturore, ekonomike, akademike etj, të Evropës Perëndimore përderisa vazhdojnë të jenë qytetarë rezistencë dhe afatgjatë në shtetin tone. Kosova ka njohur përpraim dhe progres si kurrë më pare në këto tri vitet e fundit”, theksoi Kurti.
Kurti gjithashtu përmendi përparimet e mëdha të Kosovës në aspektin ekonomik gjatë tre viteve të fundit, duke e cilësuar Kosovën si një “lider të progresit dhe zhvillimit ekonomik e demokratik në rajon”.
“Rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2 përqind. Ekonomia e vendit sot që po flasim është gjashtëfisht më i madh se sa në vitin 2000. Nuk po e marrim parasysh vitin 1999 të luftës e të kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre të djegura. E tri herë më i madh se sa në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport – import krahasuar me vitin 2021 është përmirësuar në më mirë se 1-6 nga 1-9 sa ishte asokohe. Kemi një rritje të punësimit prej 21 përqind. Nga 350 mijë vende të punës sa ishin në Kosovë në sektorin publik dhe privat në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë vende pune tash që po flasim, përfshirë këtu veçanarisht dyfshimin e të rinjve të punësuar dhe mbështetjen direkte në punësimin e 12 mijë grave”, tha Kurti.
Sipas tij pagat janë në trend të rritjes, e ajo minimale është dyfishuar në këto vitet e fundit.
“Kemi borxhin publik më të ulët në Evropë, që na bën më të fortë në negociatat me institucionet financiare ndërkombëtare. Nivel të ulët të inflacionit, ndërkaq shpenzimet kapitale për vitin 2023 ishin më të lartat në historinë e vendit tone për nga qindar milionat e ekzekutuara. Ndërkaq, qarkullimi i bizneseve gjatë vitit të kaluar ishte për 58 përqind më i lartë se sa në vitin 2019, si vit parapandemik nga 12.5 në 19.76 miliardë euro. Vendi ynë po rritet, si lider i progresit dhe i zhvillimit ekonomik e demokratik në rajon dhe me trajektore tejet premtuese për të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi kryeministri.
Kurti foli për rëndësinë e ndërlidhjes midis arsimit dhe ekonomisë, duke e cilësuar atë si një nga faktorët kryesorë për uljen e migrimit nga Kosova. Ai tha se qeveria e tij po përpiqet që “për çdo diplomë shkolle a fakulteti të ketë një vend pune” duke e cilësuar këtë si një zgjidhje për largimin e të rinjve nga vendi.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti tha se pikërisht ashtu siç ishte araparë, liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin.
“Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë vetëm në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz që kthehen”, tha ai.
Me këtë rast, Kurti bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për diasporën kosovare për investim: “Për dallim prej tri dekadave kur iu thoshim kontribuoni duke sakrifikuar, tash iu themi investoni për të fituar”, tha Kurti.
Ai vlerësoi rolin e diasporës në zhvillimin e vendit dhe shprehu synimin që të afrojë diasporën më afër pjesëmarrjes politike, ekonomike dhe kulturore të Kosovës pa pasur nevojë për shpërngulje të përhershme.
Në përfundim të adresimit të tij, Kurti vuri theksin në rëndësinë e vazhdueshme të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik si çelës për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin. /rtk/