Kurti-Hovenierit: Kosova është shtëpia juaj
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës morën pjesë në takimin lamtumirës të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se në këto gati tre vjet sa ka shërbyer Hovenier si ambasador në Kosovë, marrëdhëniet e veçanta të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur në një numër rrafshesh – nga rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës, te mbështetja për zgjerimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës, e te vlerësimi i parë kreditor i Kosovës.
Në të gjitha këto fusha, por jo vetëm, kryeministri ka theksuar se puna dhe dedikimi i ambasadorit Hovenier kanë qenë qenësore në progresin tonë.
“Koha e juaj në Kosovë është definuar jo vetëm nga profesionalizmi dhe integriteti i juaj, por edhe nga humanizmi dhe mbështetja e juaj e palëkundur për popullin tonë”, u shpreh kryeministri, njofton qeveria.
Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë kryesor, një aleat i besueshëm dhe një mik i veçantë.
Kryeministri ngrehu dolli për ambasadorin Hovenier, duke e quajtur atë një njeri të shquar, mik besnik të Kosovës dhe që do ketë gjithmonë vend në zemrat tona.
“Ambasador, dijeni që Kosova do jetë gjithmonë shtëpia juaj. Ne do të jemi këtu për t’ju mirëpritur – si një mik i dashur i yni”, ka theksuar kryeministri, raporton rtk.