Kurti: Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt
Një ditë pas publikimit të raportit preliminar për funksionalitetin e urës së Ibrit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se hapja e saj është e nevojshme për të gjithë.
I pari i ekzekutivit, në mbledhjen e sotme të qeverisë, është shprehur se në këtë drejtim do të vazhdojnë koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas dje biseduam edhe për hapjen e urës të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë e të nevojshme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare, të cilat i kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR-it në frymën e koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë besojmë që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit si dhe paqja e siguria janë të mundura bashkë dhe te duhura për vendin, shoqërinë e qytetarët. Ne do të vazhdojmë koordinimin me partnerët tanë”, deklaroi ai.
Shefi i qeverisë tha se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt, e aq më pak ndaj partnerëve ndërkombëtarë. /rtk/