Kurti fton mërgatën shqiptare në Turqi të investojë në Kosovë

Kurti fton mërgatën shqiptare në Turqi të investojë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Turqi, sot ka takuar dhe bashkëbiseduar në Izmir me pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.

Me këtë rast, ai u bëri thirrje atyre që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti në këtë takim i njoftoi ata me progresin, zhvillimet në vend dhe qeverisjen në këto më shumë se tre vjet, duke veçuar indikatorët ekonomikë që tregojnë rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, dhe nivelin e punësimit, sidomos te të rinjtë.

“Kryeministri gjithashtu veçoi arsyet se pse Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating. Me këtë rast, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, sa në ruajtjen e raporteve të mira, aq edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, thuhet në njoftim, raporton rtk.

Në këtë tubim i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, me të cilin kryeministri Kurti dje pati një takim.

Share This